“Projekti vazhdon”, Luis Enrique dhe 5 lojtarë rinovojnë kontratën me Paris Saint-Germain

“Projekti vazhdon”, Luis Enrique dhe 5 lojtarë rinovojnë kontratën me Paris Saint-Germain

PSG-ja, kampionia në fuqi e Evropës, ka njoftuar zgjatjen e kontratës së Luis Enriques deri në vitin 2030, si dhe të pesë lojtarëve: Joao Neves, Fabián Ruiz, Willian Pacho dhe talenteve të reja Mayulu e Beraldo.

Fabián Ruiz ka zgjatur kontratën deri në vitin 2028, ndërsa 4 lojtarët e tjerë deri në vitin 2031.

“Paris Saint-Germain ka kënaqësinë të njoftojë se trajneri i ekipit të meshkujve, Luis Enrique, si dhe pesë nga lojtarët e tij – Lucas Beraldo, Senny Mayulu, Joao Neves, Willian Pacho dhe Fabián Ruiz – kanë zgjatur kontratat e tyre me klubin.

Këto zgjatje kontratash dëshmojnë përkushtimin e klubit për të ndërtuar një marrëdhënie afatgjatë me ata që mishërojnë projektin e tij sportiv, i cili bazohet në arritjen e performancës maksimale, standardeve të larta në të gjithë skuadrën dhe krijimin e një ekipi të bashkuar, ambicioz dhe vazhdimisht konkurrues”, shkruhet në njoftimin e klubit parisien.

“Jemi të lumtur që Luis Enrique, Senny Mayulu, João Neves, Willian Pacho, Lucas Beraldo dhe Fabián Ruiz kanë vazhduar qëndrimin e tyre te Paris Saint-Germain; ata përfaqësojnë si të tashmen, ashtu edhe të ardhmen e projektit të këtij klubi. Së bashku, duam të ndërtojmë për një periudhë afatgjatë, t’u qëndrojmë besnikë vlerave tona dhe të vazhdojmë të shkruajmë një histori të përbashkët, për të cilën tifozët tanë mund të jenë krenarë”, ka deklaruar presidenti Nasser Al-Khelaifi.

Share This