Prishtina fiton Superkupën, ky është urimi i presidentit Ademi

Prishtina fiton Superkupën, ky është urimi i presidentit Ademi

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi e ka uruar FC Prishtinën për trofeun e Superkupës, shkruan GazetaGOLI.com.

Prishtinasit rrëmbyen trofeun e kësaj gare duke mundur sot Ballkanin (2-1), në ndeshjen e zhvilluar në Antalia të Turqisë.

I pari i futbollit tonë, përmes llogarisë së tij në Facebook, ka uruar Prishtinën për suksesin e arritur. Sipas Ademit, kryeqytetasit bën paraqitje të shkëlqyeshme në duel me kampionin në fuqi të Kosovës.

Ademi thotë se ky sukses shënon një kapitull të ri për klubin kryeqytetas.

Postimi i Ademit:

Urime FC Prishtina për triumfin në Superkupë!

Sot, bardhekaltrit e kryeqytetit treguan një paraqitje të shkëlqyeshme në fushën e gjelbër dhe me rezultat 2:1 triumfuan ndaj kampionit në fuqi, FC Ballkani, në ndeshjen e Superkupës, që edhe këtë vit u organizua në Antalia të Turqisë. Ishte kjo një paraqitje e mrekullueshme e futbollistëve të Prishtinës, që kësisoj shtuan një trofe tjetër në vitrinën e pasur të klubit.

Përgëzime për lojtarët, trajnerët dhe stafin drejtues të FC Prishtina! Përkushtimi dhe angazhimi i tyre sollën suksesin e merituar. Me këtë fitore, ata dëshmuan cilësinë dhe forcën e tyre në skenën e futbollit kosovar.

Ky sukses shënon një kapitull të ri për klubin kryeqytetas dhe na bën të shpresojmë për një sezon të lavdishëm në Albi Mall Superligë. Duke i uruar suksese në sfidat e ardhshme, shpresoj që ky trofe do ta motivojë skuadrën bardhekaltër për rikthim të fuqishëm edhe në kampionat.

Përgëzoj gjithashtu futbollistët e FC Ballkani për paraqitjen e tyre në këtë ndeshje dhe i inkurajoj që të vazhdojnë të punojnë me zell dhe përkushtim për stinorin pranveror, në mënyrë që t’i arrijnë objektivat e tyre.

Faleminderit për emocionet që na i dhuroni dhe suksese të mëtejme për të gjitha klubet! /Goli

Share This