Prishtina fiton dramën ndaj Vëllaznimit, kalon në gjysmëfinale

Prishtina fiton dramën ndaj Vëllaznimit, kalon në gjysmëfinale

Në një super ndeshje të zhvilluar në kryeqytet me shumë emocione, Sigal Prishtina fitoi ndaj Vëllaznimit me shifrat 86:82 (18:16, 23:16, 16:21, 17:21, 12:8).

Bardhekaltrit me serinë 2:1 kalojnë në gjysmëfinale të “Play-off”-it të Superligës së Kosovës në basketboll.

Vendasit e nisën shumë mirë ndeshjen me një seri prej 7:0, por mysafirët u kundërpërgjigjën shpejt, duke barazuar shifrat në 14:14, ndërsa çereku i parë përfundoi 18:16. Në fillim të periodës së dytë ishte sfidë e baraspeshuar, por në katër minutat e fundit, bardhekaltrit u shkëputën në 41:32, sa përfundoi pjesa e parë.

Kryeqytetasit ngritën epërsinë në periodën e tretë, 51:39, megjithatë, kuqezinjtë u kthyen sërish, ku shifrat pas 30 minutash ishin 57:53. Drama vazhdoi në çerekun e katërt. 15 sekonda nga fundi, Jericole Hellems shënoi dy gjuajtjet e lira për 74:74, kurse më pas Jordan Davis i vendasve gaboi dy herë nga gjuajtje e lira, e më pas edhe nga gjuajtja e fundit nga loja, ku ndeshja shkoi në vazhdime.

Edhe në vazhdime u zhvillua ndeshje shumë interesante, por bardhekaltrit ia arritën qëllimit dhe u kualifikuan në gjysmëfinale, derisa rezultati përfundimtar ishte 86:82.

Më i miri te vendasit ishte Donte Clark me 19 pikë, pesë kërcime dhe tri asistime, kurse te mysafirët u dallua Jericole Hellems me 22 pikë e 13 kërcime.

Share This