
Prishtina dhe Llapi me fitore bindëse, Prishtina kryeson tabelën
Prishtina dhe Llapi kanë shënuar fitore bindëse në ndeshjet e zhvilluara të martën në kuadër të xhiros së pestë të Superligës së Kosovës në futboll.
Prishtina e ka vazhduar serinë e suksesshme, duke regjistruar fitoren e katërt radhazi. “Bardhekaltrit” e kanë mposhtur Drenicën me rezultat 4:1 në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.
Prishtina ka kaluar në epërsi që në minutën e pestë, kur Kastriot Selmani ka realizuar pas asistimit të Assane Diattas.
Drenica ka arritur ta barazojë rezultatin në minutën e dyzet përmes kapitenit Shkëlzen Lushtaku. Goli ështrë pranuar pas rishikimit të situatës në VAR dhe pjesa e parë ka përfunduar 1:1.
Në pjesën e dytë, Prishtina është rikthyer shpejt në epërsi. Diar Halili ka shënuar me kokë për 2:1 në minutën e pesëdhjetë e një.
Vetëm gjashtë minuta më vonë, Assane Diatta ka realizuar nga pika e bardhë për 3:1, ndërsa Ardian Hasani e ka vulosur fitoren 4:1 në minutën e tetëdhjetë e gjashtë.
Pas ndeshjeve të së martës, Prishtina prin në tabelë me dymbëdhjetë pikë, e ndjekur nga Malisheva me dhjetë pikë.
Për Drenicën kjo ishte disfata e dytë në këtë kampionat. Skuadra nga Skenderaj ka edhe tri barazime dhe numëron tri pikë.
Fitore të thellë ka regjistruar edhe Llapi, i cili më në fund e ka shënuar fitoren e parë këtë edicion. Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina e ka mposhtur Vushtrrinë 4:0 në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë.
Llapi e ka siguruar fitoren kryesisht falë një pjese të parë shumë të mirë. Arbnor Ramadani ka shënuar për 1:0 në minutën e shtatëmbëdhjetë, ndërsa Fiton Ademi e ka dyfishuar epërsinë në minutën e tridhjetë e gjashtë.
Pas një ore lojë, Arianit Hasani ka shënuar për 3:0, ndërsa Mërgim Cërnavërni e ka vulosur fitoren 4:0 në minutën e nëntëdhjetë.
Kjo ka qenë fitorja e parë e Llapit në këtë edicion të Superligës, ndërsa Vushtrria vazhdon të jetë pa pikë pas pesë xhirove.
Ndeshja është zhvilluar në Malishevë, pasi Vushtrria, edhe pse skuadër vendëse, e ka organizuar takimin në stadiumin “Liman Gegaj” në mungesë të stadiumit të saj.

