Presidentja Osmani bën thirrje të votohet ‘Zjerm’ e Shkodrës Elektronike

Presidentja Osmani bën thirrje të votohet ‘Zjerm’ e Shkodrës Elektronike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për të gjithë shqiptarët që të përkrahin Shqipërinë në finalen e Eurovision 2025, që mbahet sonte në Bazel.

Përfaqësimi shqiptar vjen këtë vit përmes grupit Shkodra Elektronike, me këngën “Zjerm” që do të performojë si e 26-ta në garë.

Edhe pse Kosova ende nuk është pjesë zyrtare e Eurovisionit, presidentja Osmani theksoi se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të votojnë si pjesë e votës së publikut, ndaj ftoi të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, që ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

“Sonte, edhe Kosova shndrit me Shkodrën Elektronike! Edhe pse Kosova ende nuk merr pjesë në Eurovizion, sonte të gjithë shqiptarët përfaqësohen denjësisht nga Shkodra Elektronike dhe shikuesit nga vendi ynë kanë të drejtë të votojnë si pjesë e votës së publikut. Një krijim që sjell një rrëfim të fuqishëm e kuptimplotë, meriton përkrahjen tonë në Kosovë, në mërgatë e kudo që ka shqiptarë. Të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen: Votoni Shqipërinë dhe numrin 26. Fitore për Zjerm!”, ka shkruar presidentja Osmani, raporton rtk.

Share This