Presidentja mandaton Glauk Konjufcën për formimin e Qeverisë së re

Presidentja mandaton Glauk Konjufcën për formimin e Qeverisë së re

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se i ka dhënë mandatin për formimin e Qeverisë së re kandidatit të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

“Kushtetuesja nuk thotë mund të emërojë, por emëron nëse dështon i pari. Kushtetuta nuk i lë hapësirë presidentes për mos-emërim të kandidatit të dytë atëherë kur ka një mandatar. Gjuha e përdorur në Kushtetutë është obligative, pra e detyron presidenten ta emërojë kandidatin e dytë”, deklaroi Osmani gjatë konferencës për medie.

“Kam mandatuar Glauk Konjufcën, kandidat tjetër për kryeministër, ashtu siç qartë e kërkon dhe e përcakton neni 95, pika 4 e Kushtetutës, si dhe vetë praktika e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi ajo.

Ajo gjatë konferencës bëri të ditur se ka ftuar partitë opozitare për t’u ofruar mundësinë e mandatarit, por që të njëjtat kanë deklariar se nuk do të propozojnë emër tjetër për mandatar.

Tutje, presidentja Osmani theksoi se mandati i Glauk Konjufcës është në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese të saj, duke siguruar stabilitetin e vendit dhe shmangur zgjedhjet e parakohshme.

Ajo potencoi se funksionalizimi i shtetit është në rrezik nëse vendi mbetet pa institucione për një periudhë të gjatë.

“Vet funksionalizimi i shtetit rrezikohet nëse shkojnë disa muaj e ne nuk kemi institucione. Me qëllim që të parandaloj këtë dëm dhe të jepet hapësirë ku mund të merren këto vendime, dhe me qëllim që të përmbush obligimin tim, duhet të kemi interpretime pozitive për krijimin e institucioneve”, deklaroi Osmani.

Share This