
Presidenti Ademi uron KFF Dukagjinin për triumfin në Kupën e Kosovës
Presidenti i Federata e Futbollit e Kosovës, Agim Ademi, ka uruar KFF Dukagjinin për fitimin e Kupës së Kosovës në futbollin e vajzave, pas finales dramatike ndaj KFV Prishtinës.
Përmes një postimi publik, Ademi e cilësoi finalen si një përballje me rivalitet, emocione dhe luftë të madhe sportive, ku fituesi u përcaktua vetëm pas ekzekutimit të penalltive.
KFF Dukagjini kaloi në epërsi që në minutën e 4-të me golin e Olsa Kuçit, ndërsa KFV Prishtina barazoi rezultatin në minutën e 86-të me golin e Rreze Gashit, duke e çuar ndeshjen në vazhdime.
Postim i Ademit;
Urime KFF Dukagjini për triumfin në Kupën e Kosovës!
Një finale me rivalitet, emocione dhe shumë luftë sportive, ku as 120 minuta lojë nuk mjaftuan për ta përcaktuar fituesin (1:1). Vajzat nga Klina kaluan herët në epërsi me golin e Olsa Kuçit (4’), ndërsa KFV Prishtina nuk u dorëzua dhe arriti t’i barazojë shifrat në fund të takimit me golin e Rreze Gashit (86’), duke e çuar ndeshjen në vazhdime.
Edhe 30 minutat shtesë sollën lojë interesante dhe raste me goditje shtyllash nga të dyja skuadrat, por pa gola. Në fund, penalltitë vendosën fituesin, ku më të sakta u treguan futbollistet e Dukagjinit (5:4) duke festuar këtë trofe për të dytin vit radhazi.
Përgëzime për futbollistet, stafin teknik, drejtuesit dhe tifozët e KFF Dukagjini për këtë sukses të merituar. Respekt dhe vlerësim edhe për KFV Prishtina për paraqitjen dinjitoze dhe finalen e zhvilluar në nivel të lartë sportiv.
Së bashku do të vazhdojmë ta rrisim dhe fuqizojmë futbollin e vajzave.
Urime KFF Dukagjini dhe suksese edhe në të ardhmen!

