Presidenti Begaj në OKB: Shqipëria e përkushtuar për barazinë gjinore

Presidenti Begaj në OKB: Shqipëria e përkushtuar për barazinë gjinore

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë sot në takimin e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, kushtuar 30-vjetorit të Konferencës së Katërt Botërore për Gratë, nisur në Pekin në vitin 1995.

Në fjalën e tij, presidenti Begaj bëri thirrje për veprime konkrete dhe të matshme për të arritur barazinë gjinore dhe për të përmbushur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm deri në vitin 2030.

Ky takim duhet të shërbejë si një pikë kthese, duke kaluar nga retorika në veprim. Ne duhet të mobilizojmë burime të mjaftueshme financiare, të forcojmë kornizat e llogaridhënies dhe të investojmë në veprime të matshme dhe transformuese,” u shpreh Presidenti Begaj, teksa ndau përvojën e Shqipërisë me liderët botërorë të pranishëm në samit.

Presidenti renditi një sërë reformash ligjore, institucionale dhe shoqërore të ndërmarra nga Shqipëria për të promovuar barazinë gjinore.

Presidenti Begaj rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për dy prioritete kryesore në kuadër të Agjendës së Veprimit Pekin+30: eliminimin e dhunës ndaj grave dhe zgjerimin e zbatimit të buxhetimit të përgjegjshëm ndaj gjinisë.

Duke e konsideruar barazinë gjinore si faktor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm, kohezionin shoqëror dhe prosperitetin e përbashkët, Begaj rikonfirmoi qëndrimin se “ Shqipëria është zotuar për dy veprime prioritare sipas Agjendës së Veprimit Pekin+30: së pari të intensifikojë përpjekjet për të eliminuar dhunën ndaj grave dhe së dyti të zgjerojë zbatimin e buxhetimit të përgjegjshëm ndaj gjinisë”.

Samiti i këtij viti Asamblenë e Përgjithshme me rastin e 30-vjetorit të Konferencës së Katërt Botërore për Gratë kishte në fokus rikonfirmimin e angazhimit, sigurimin e burimeve dhe përshpejtimin e zbatimit të Deklaratës së Pekinit dhe Platformës për Veprim për të arritur barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave me synim reflektimin e përbashkët mbi progresin dhe sfidat e vazhdueshme në avancimin e barazisë gjinore në mbarë botën.

Fjala e plotë e Presidentit Begaj për 30-vjetorin e Konferencës së Katërt Botërore për Gratë

Është kënaqësi e veçantë të jem i pranishëm në përkujtimin e 30-vjetorit të Konferencës së Pekinit, një platformë e rëndësishme në përpjekjet globale për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave. Kjo ditë është një mundësi për të rinovuar angazhimin tonë kolektiv dhe për të dhënë një shtysë të re për zbatimin e plotë të Deklaratës dhe Platformës së Veprimit të Pekinit.

Kemi bërë hapa të rëndësishëm për të siguruar pjesëmarrjen e grave në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore. Megjithatë, me vetëm pesë vite që na ndajnë nga realizimi i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, progresi në barazinë gjinore ka ngecur, e në disa fusha ka regres. Ne duhet ta kthejmë këtë prirje. Ky takim duhet të shërbejë si një pikë kthese, duke kaluar nga retorika në veprim. Duhet të mobilizojmë burime financiare të mjaftueshme, të forcojmë kuadrot e llogaridhënies dhe të investojmë në veprime matshme dhe transformuese.

Shqipëria është e gatshme të ndajë përvojën e saj. Gjatë dekadës së fundit kemi ndërmarrë reforma të rëndësishme ligjore, institucionale dhe shoqërore në promovimin e barazisë gjinore.

Shqipëria ka mbyllur hendekun gjinor në arsim, ka forcuar pjesëmarrjen ekonomike të grave dhe ka investuar në përfshirjen digjitale dhe sipërmarrjen për gratë dhe vajzat. Këto reforma janë hartuar në konsultim me shoqërinë civile dhe të rinjtë, duke e bërë barazinë gjinore një element të rëndësishëm të shoqërisë sonë.

Për ne, barazia gjinore është thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm, kohezionin shoqëror dhe begatinë e përbashkët. Shqipëria ka marrë dy angazhime prioritare në kuadër të Agjendës së Veprimit Beijing+30: së pari, intensifikimin e përpjekjeve për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe, së dyti, zgjerimin e aplikimit të Buxhetimit të Ndjeshëm ndaj Gjinive.

Zonja dhe zotërinj,

Në një kohë kur konfliktet dhe krizat po shumohen, bota ka nevojë më shumë se kurrë për lidershipin dhe kontributin e grave. Roli i tyre është thelbësor në ndërtimin e paqes, në parandalimin e konflikteve dhe në krijimin e shoqërive më gjithëpërfshirëse dhe më elastike.

Shqipëria riafirmon angazhimin e saj të plotë ndaj Deklaratës së Pekinit dhe Platformës së Veprimit, ndaj Agjendës 2030 dhe instrumenteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. /rtsh/

Share This