Presidenti Ademi uron gazetarët sportivë: Me raportimet tuaja të paanshme, ndihmoni në përmbushjen e synimeve të përbashkëta
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka uruar sot të gjithë gazetarët sportivë në rastin e shënimit të Ditës së Gazetarëve Sportivë.
Ky është urimi i tij:
Të dashur gazetarë sportivë,
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë, dua të shpreh urimet më të ngrohta në emrin tim, të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, dhe të gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë.
Me këtë rast të veçantë, përgëzoj Shoqatën e Gazetarëve Sportivë të Kosovës dhe të gjithë gazetarët sportivë të të gjitha brezave, të cilët kanë kontribuar në promovimin dhe sensibilizimin e çështjes së futbollit, veçanërisht në periudhat kur ende nuk ishim të pranuar në UEFA dhe FIFA, por edhe tani e në vazhdimësi.Gazetaria sportive ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen dhe promovimin e punës së FFK-së dhe sukseseve të Kombëtares dhe klubeve tona në arenën ndërkombëtare.
FFK-ja ka qenë gjithmonë e angazhuar në lehtësimin e punës tuaj, duke ju ofruar mbështetjen e nevojshme për raportimin e zhvillimeve të futbollit në vend dhe do të vazhdojë të qëndrojë afër jush edhe në të ardhmen.
Si federata më e madhe sportive në Kosovë, FFK ju inkurajon që të vazhdoni punën tuaj me profesionalizëm dhe të kontribuoni në zhvillimin e mëtejshëm të futbollit në vendin tonë.
Me raportimet tuaja të sakta dhe të paanshme, ndihmoni në eliminimin e çdo pengese dhe në përmbushjen e synimeve tona të përbashkëta për ngritjen e futbollit në një nivel më të lartë.Edhe një herë, përgëzimet e mia më të sinqerta për këtë ditë të veçantë. Shpresoj që bashkëpunimi ynë të vazhdojë të jetë i frytshëm dhe ju të keni mundësinë të raportoni për sa më shumë suksese të Kombëtares sonë dhe klubeve tona.
Urime e punë të mbarë!
Me respekt,Agim Ademi, president i FFK-së