Presidenti Ademi nga Reçaku: Kujtimi i martirëve na obligon të nderojmë sakrificën me vepra dhe suksese

Presidenti Ademi nga Reçaku: Kujtimi i martirëve na obligon të nderojmë sakrificën me vepra dhe suksese

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka bërë homazhe sot në Kompleksin Memorial në Reçak, në përvjetorin e masakrës, duke e cilësuar këtë vend si plagë, krenari dhe dëshmi të së vërtetës së popullit të Kosovës.

Përmes një mesazhi publik, Ademi ka theksuar se Reçaku nuk është vetëm një emër në histori, por një simbol i dhimbjes dhe sakrificës që u shndërrua në thirrjen më të fuqishme për liri dhe drejtësi.

“Sot, së bashku me bashkëpunëtorë, bëmë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, aty ku dhimbja jonë kombëtare u kthye në thirrjen më të fuqishme për liri dhe drejtësi”, ka deklaruar Ademi.

Ai ka theksuar se nga Reçaku bota e kuptoi përfundimisht fytyrën e vërtetë të barbarisë serbe dhe të drejtën e patjetërsueshme të popullit të Kosovës për të jetuar i lirë dhe i pavarur.

Presidenti i FFK-së ka përkujtuar me mirënjohje të veçantë edhe ambasadorin amerikan William Walker, duke e cilësuar atë si zërin e së vërtetës që theu heshtjen ndërkombëtare për krimet në Kosovë.

“Në këtë ditë rikujtojmë me mirënjohje ambasadorin William Walker, zërin e së vërtetës në Reçak. Guximi i tij e ktheu këtë masakër në një pikë kthese për rrugën e Kosovës drejt lirisë”, ka shtuar Ademi.

Ai ka nënvizuar se kujtimi i martirëve të Reçakut nuk zbehet me kohën, por shndërrohet në obligim moral dhe kombëtar për brezat e sotëm.

“Çdo sukses i yni, çdo ndeshje dhe çdo herë që valvitet flamuri ynë në arenat ndërkombëtare, është një homazh për gjakun e derdhur. Fanella e Kombëtares sonë peshon rëndë, sepse është e thurur mbi sakrificën e martirëve të Reçakut dhe gjithë dëshmorëve të lirisë”, ka përfunduar ai.

Në fund, Ademi ka shprehur nderim të përhershëm për të rënët e Reçakut dhe për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

“Lavdi të rënëve të Reçakut! Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës”, ka deklaruar presidenti i FFK-së.

Share This