Presidenti Ademi në Prizren, në shpalljen e laureatëve të vitit, merr lëvdata edhe për punën e FFK-së
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ishte i pranishëm në regjionin e Prizrenit, në shpalljen e laureatëve të vitit, por edhe për t’u takuar dhe për të bashkëbiseduar me njerëzit që e kanë bartur barrën kryesore të zhvillimit të futbollit në këtë regjion.
“Takova njerëz të kategorive të ndryshme, duke nisur nga udhëheqës, donatorë, sportistë e ish-sportistë, të cilët i falënderova për përkrahjen dhe zhvillimin e futbollit në Prizren”, ka shkruar ai në Facebook.
Presidenti Ademi ka theksuar se diskutuan edhe për çështjen e së ardhmes së futbollit në nivel regjional por edhe në nivel të Kosovës.
“U dakorduam që në vitin në vijim të punojmë bashkërisht për t’i realizuar të gjitha projektet të cilat i duhen këtij regjioni, por edhe futbollit në përgjithësi”.
“U premtova se FFK do të vazhdojë të jetë e afërt dhe t’i qëndrojë pranë si çdoherë. Nga ana e komunitetit të futbollit të këtij regjioni mora shumë lëvdata për punët e bëra dhe përkrahje e besim të vazhdueshëm. Ua shpreha mirënjohjen time për besimin dhe u dakorduam që të vazhdojmë me përgjegjësi dhe krenari të punojmë së bashku edhe në vitet e ardhshme”, ka shkruar Ademi, duke uruar që viti që po hyjmë të jetë një vit edhe më i suksesshëm për të gjithë.