
Presidenti Ademi në Monako takohet me kreun e UEFA-s, Aleksander Çeferin, ja çfarë bisedojnë
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka zhvilluar një takim në Monako me presidentin e UEFA-s, Aleksander Çeferin.
Në fokus të takimit ishte bashkëpunimi dhe angazhimi i përbashkët për zhvillimin dhe avancimin e futbollit, me theks të veçantë në forcimin e pozitës së futbollit kosovar në arenën evropiane.
Ademi theksoi se respekti dhe puna e përbashkët mbeten në qendër të angazhimit për një futboll edhe më të fortë, si në Kosovë, ashtu edhe në Evropë.
“Respekti dhe puna e përbashkët për zhvillimin e futbollit mbeten në qendër të angazhimit tonë. Bashkë për një futboll edhe më të fortë në Kosovë dhe në Evropë!”, ka shkruar Ademi.
Takimet e tilla vlerësohen si të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet FFK-së dhe UEFA-s dhe për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e futbollit në Kosovë.

