
Presidenti Ademi: Gjithmonë krenarë me Gladiatorët tanë dardanë
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar pas ndeshjes së fundit të Kombëtares sonë, duke shprehur krenarinë për paraqitjen e lojtarëve dhe duke theksuar se humbjet janë pjesë e rrugëtimit drejt suksesit.
Në një mesazh publik, Ademi vlerësoi angazhimin maksimal të futbollistëve në fushë, duke theksuar se ata luajtën me përkushtim dhe krenari për fanellën që përfaqëson një popull të tërë.
“Jo çdo mbrëmje sjell rezultatin që e dëshirojmë, por çdo sfidë na bën më të fortë. Sonte, djemtë tanë dhanë maksimumin në fushë. Fati nuk ishte në anën tonë dhe, ndonëse nuk e merituam një rezultat të tillë, duhet të pranojmë se edhe humbjet janë pjesë e këtij rrugëtimi”, është shprehur ai.
Ademi shtoi se kjo humbje nuk e zbeh punën dhe besimin në ekip, duke u shprehur i bindur se përfaqësuesja do të rikthehet më e fortë dhe me të njëjtin shpirt luftarak.
Ai gjithashtu falënderoi tifozët “Dardanët” dhe të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen për mbështetjen e vazhdueshme ndaj ekipit kombëtar.
“Kjo humbje dhemb, por qëndrojmë me kokën lart për gjithçka që kemi arritur. E ardhmja do të na sjellë shumë gëzime të tjera. Bashkë vazhdojmë përpara”, përfundoi Ademi.


