Pos vëllait, Ministria e Pecit e shpërbleu me grant edhe dajën e Fitore Pacollit

Pos vëllait, Ministria e Pecit e shpërbleu me grant edhe dajën e Fitore Pacollit

Pas Blerim Pacollit, vëllait të deputetes sw  Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe kryetare e Komisionit për Bujqësi Fitore Pacolli, dyshohet se edhe një tjetër familjar i saj është shpërblyer me grant 100 mijë eurosh nga Ministria e Bujqësisë që drejtohet nga Faton Peci.

Ministria e Pecit raportohet se ia ka ndarë ndarë 100 mijë euro dajës së saj, Sylejman Islamit.

Kështu ka denoncuar  sekretari i Përgjithshëm i Forumit Rinor të LDK-së, Egzon Pacolli,  përmes një videoje në rrjetin social Facebook.

Ditëve të fundit është raportuar për favorizime me grante nga Ministria e Bujqësisë.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, e ka hapur “kuletën e Ministrisë” në muajt e fundit të mandatit të tij, duke ndarë shuma të majme. 100 mijë euro në formë granti i janë dhënë vëllait të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacollit për një shtallë, e 50 mijë tjera i janë ndarë një bashkëpartiaku të tij për ndërtimin e disa villave.

Pas reagimeve të shumta për këtë rast, ka dalë me reagim edhe vetë Ministri Faton Peci.

Peci ka thënë se “Ministri nuk vlerëson, nuk favorizon, nuk diskriminon, nuk miraton e as nuk refuzon individë, si dhe nuk vendos se kush fiton e kush refuzohet në programin e granteve”.

“Pas këtij pretendimi të LDK-së dhe partive të tjera opozitare simotra PLANS, si dhe për të informuar publikun,(përkundër dëshirës sonë), do të ndajmë të gjithë individët përfitues të granteve që kanë mandat dhe funksion politik. Kjo për t’ua bërë me dije se ne nuk diskriminojmë askënd për shkak të bindjeve politike dhe funksionit politik, sepse kjo është një praktikë e atyre që sot janë në opozitë dhe që nuk kanë mundur të fshehin milionat e vjedhur as nëpër tualete. Përkundër dëshirës mirëpo me qëllim të demantimit të këtyre lajmeve, të hënën do të publikojmë një listë të asambleistëve të LDK-së dhe të partive të tjera që janë përfitues të programeve të ministrisë sonë, për të siguruar që procesi është transparent, i drejtë dhe mbi të gjitha meritor!”, ka shkruar Peci.

“Nëse opozita mendon se 438,000 votuesit e ndryshimit duhet të jenë të privuar nga të drejtat qytetare për të qenë përfitues të granteve dhe të punësimit, le ta harrojnë se mund të diktojnë vazhdimin e diskriminimit. Ndërsa forma e përfitimit të grantit dihet më së miri nga 1003 përfituesit aktualë”, ka shkruar tutje Peci.

Edhe një grant tjetër që ka dhënë kjo Ministri, ka nxitur reagime. Periskopi ka raportuar para disa javësh se Ministri Faton Peci i ka dhënë grant rreth 50 mijë euro bashkëpartiakut të tij, Bahtijar Berishës, në projektin mbi 84 mijë euro për ndërtimin e tri vilave në Komunën e Dragashit.

Po ashtu u raportua se Peci e ka shpërblyer edhe këshilltarin e jashtëm në kabinetin e ministrit, Naim Huruglica.

Kompania “Iron Consulting”, me pronar këshilltarin e jashtëm të Pecit, Naim Huruglica, ka fituar grant nga AZHB për projektin 100 mijë eurosh.

Share This