“Po vjen era korrupsion” Ardian Kastrati thotë se prokuroria duhet të hetojë procesin e subvencionimit të teksteve shkollore
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati, në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore për vitin shkollor 2023/2024, ka thënë se prokuroria duhet të hetojë këtë proces pasi, sipas tij, po vjen era korrupsion.
Teksa kryetarja e Komisionit për negocimin e teksteve shkollore, Merita Januzaj, u intervistua në komision, u pyet nga deputeti Kastrati në lidhje me ofertat që shtëpitë botuese kanë ofruar për negocimin e çmimeve për tekste shkollore, i cili tha se nga përgjigjet e saj rezulton se MAShT-i nga 4 milionë e 316 mijë sa vetë i ka planifikuar për tekste shkollore, për 514 mijë euro e prishi negociatën me shtëpitë botuese dhe shkoi me metodën e re të subvencionimit me 11 milionë euro humbje.
“Sipas dosjes B27 të tenderit, nga MASHTI janë planifikuar 4 milionë e 316 mijë e 885 nga të cilat thatë shtëpitë botuese kanë ofruar 5 milionë e 882 e 743 euro. Kjo praktikë është e zakonshme, shtëpitë botuese ofertojnë më lart. Por, të cilat e kanë zbritur në 4 milionë e 882 mijë. MAShT-i vitin e kaluar ka planifikuar 4 milionë e 316 mijë, ndërsa tani 4 milionë e 800 mijë, për 514 mijë euro është vendosë të shkohet me formën e re të subvencionimit që sipas Nagavcit tash ishte 11 milionë e dicka, 670 mijë. Po vjen era korrupsion, këtu ka punë prokuroria. Pra, nga 4 milionë e 316 mijë sa vetë ka planifiku MAShT-i për 514 mijë euro e prishi negociatën me shtëpitë botuese dhe shkoi me metodën e re të subvencionimit me 11 milionë e 670 mijë euro, kjo nuk arsyetohet asnjëherë as nga Nagavci as nga dëshmitarët”, ka deklaruar Kastrati.
Sipas Kastratit, e duhura do të ishte që për 514 mijë euro të vazhdohej me metodën e vjetër të subvencionimit e të dalin më 1 shtator librat për fëmijët sesa me metodën e re e me më shumë humbje.
“Shumë më mirë do të ishte që për 514 mijë euro të vazhdohej me metodën e vjetër të subvencionimit e të dalin me 1 shtator librat për fëmijët sesa me këtë metodë të re. Është krijuar kaos i madh, më 1 shtator të vitit të kaluar 80% e nxënësve nuk i kanë pasur librat komplet”, ka vijuar ai.
Teksa kryetarja e Komisionit për negocimin e teksteve shkollore, Merita Januzaj, tregoi ofertat që i ofruan shtëpitë botuese veç e veç tha se shtëpia botuese “Dukagjini” i “ka pasë 4 milionë e 260 mijë e 902.56 dhe i ka zbrit në 3 milionë e 459 mijë e 852.30, pra 1 milionë më pak”.
Januzaj ka thënë se kanë arritur ta “zbresin çmimin e teksteve shkollore nga mbi 5 milionë në 4 milionë e 830 mijë e 69 euro”.
“Si zyrtare Ministrisë sa herë është kërkuar një informatë, ne iu kemi përgjigje pozitivisht kërkesave të Kuvendit. Është një proces si hallkë e ndërmjetme e procesit të teksteve shkollore. Pasi përzgjidhen tekstet shkollore dhe vlerësohen atëherë, departamenti i caktuar bën kërkesën dhe hapet tenderi. Detyra jonë është me kërku me ulë çmimin me aq sa mundet. Kemi pasur takime me shtëpitë botuese për të ulur sa më shumë çmimin. Çmimi ka qenë 4 milionë e 300 mijë kurse oferta në shtëpitë botuese ka qenë rreth 5 milionë. Jemi munduar me ulë ofertat dhe kemi ulur diku mbi 1 milion ofertën totale të shtëpive botuese. Prej 5 milionë e 800 mijë kemi përfunduar në 4 milionë e 800 mijë euro”, tha Januzaj.