
Platforma “Liria ka emër” mbështet protestën e 7 gushtit, fton qytetarët të bashkohen kundër padrejtësive
Platforma “Liria ka emër” ka shprehur mbështetjen e saj të plotë për protestën e paralajmëruar më 7 gusht nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kundër padrejtësive ndaj ish-pjesëtarëve të luftës që po mbahen në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Përmes një postimi në faqen zyrtare në “Facebook”, platforma ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen kësaj proteste, duke theksuar se ajo është një zë kundër rishkrimit të historisë dhe shkeljes së të drejtave të njeriut.
“Më 7 gusht protestojmë kundër padrejtësive, kundër rishkrimit të historisë, kundër shkeljes së të drejtave njerëzore… Së bashku!”, thuhet në thirrjen publike të bërë nga kjo platformë.
Platforma e ka cilësuar këtë protestë si një hap të domosdoshëm për të mbrojtur dinjitetin e luftës çlirimtare dhe për të kërkuar drejtësi për ata që, sipas saj, po përballen me procese të padrejta gjyqësore.
Protesta pritet të zhvillohet në Prishtinë dhe ka marrë mbështetje të gjerë nga organizata të dala nga lufta dhe figura të ndryshme publike.


