Plani për bllokimin e urave në Novi Sad fillon sot në orën 15:00
Të tre urat në Novi Sad do të bllokohen sot në orën 15:00. Studentëve vendas do t`u bashkohen kolegë nga Beogradi, të cilët kanë ardhur në këmbë, si dhe shumë qytetarë.
Ky bllokim organizohet në shenjë proteste, tre muaj pas shembjes së mbulesës së stacionit hekurudhor të rikonstruktuar, i cili ishte inauguruar dy herë. Nga ky incident humbën jetën 15 persona, raporton DANAS.
Bllokimi i të tre urave – Varadinskit, Zhezhelit dhe Ura e Lirisë – do të fillojë në orën 15:00.
Varadinski dhe Zhezheli do të qëndrojnë të bllokuara për tre orë, deri në orën 18:00, ndërsa Ura e Lirisë do të mbetet e bllokuar për 24 orë.
“Tre orët e para do të bllokojmë të tre urat. Pas këtyre tre orëve, të gjithë pjesëmarrësit do të mblidhen në Urën e Lirisë, ku bllokimi 24-orësh do të vazhdojë dhe më pas do të vendoset nëse do të zgjasë më tej apo do të përfundojë përmes një mbledhjeje qytetare,” thanë studentët.
Studentët u kanë bërë thirrje qytetarëve në mbarë Serbinë që nga ora 20:05 deri në 20:10 të shprehin mbështetjen e tyre me protesta me zhurmë.
Ndërkohë, edhe qytetarët e tjerë po organizohen në mbështetje të protestës, raporton rtk.