
Pesë të arrestuar për dyshime për tjetërsimin prone në vlerë 1.5 milion euro
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se pesë persona janë arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, lidhur me tentativën për tjetërsimin e një prone në Fushë Kosovë, me vlerë rreth 1.5 milion euro.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se, duke keqpërdorur pozitën zyrtare, kanë pajisur në mënyrë të kundërligjshme personin me inicialet M.S. me fletë poseduese për një pronë prej dy hektarësh. Më pas, M.S. dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka tentuar ta tjetërsojë pronën përmes shitblerjes, duke përdorur dokumente të falsifikuara.
Prokuroria thotë se prona ishte planifikuar të shitej te dy persona me inicialet M.Z. dhe M.Z., për shumën prej 1 milion e 500 mijë eurosh, raporton rtk.
Arrestimi është kryer nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, në koordinim me Prokurorinë. Të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ndërsa të dyshuarit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

