
Përshkallëzohen protestat në Tiranë, molotovë e plumba gome, tre të lënduar
Protesta e studentëve, aktivistëve të shoqërisë civile dhe qytetarëve në Tiranë është shoqëruar me tensione të forta edhe në ditën e gjashtë. Protestuesit kanë hedhur bomba molotov, gurë dhe mjete piroteknike drejt forcave të policisë, ndërsa këto të fundit janë përgjigjur me plumba gome, gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Sipas ATSH-së, protesta nisi pranë Ministrisë së Arsimit, vijoi te selia e Partisë Socialiste dhe më pas u zhvendos drejt Kryeministrisë, ku Policia e Shtetit kishte vendosur një kordon sigurie dhe tre autobotë me ujë.
Tensionet u përshkallëzuan gjatë pasdites, kur forcat e policisë i shtynë protestuesit nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” drejt sheshit “Skënderbej”.
Molotovë ndaj policisë, një efektiv përfshihet nga flakët
Sipas raportimit të medieve, protestuesit hodhën breshëri bombash molotov drejt efektivëve të policisë, ndërsa flakët shpërthyen pranë këmbëve të tyre.
Gjatë përplasjeve, një efektiv policie u përfshi nga flakët.
Policia ndërhyri me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës, ndërsa përdori edhe plumba gome ndaj protestuesve të dhunshëm.
Protestuesit u kundërpërgjigjën duke hedhur gurë drejt policisë dhe institucioneve shtetërore. Ata vendosën barriera metalike dhe kosha mbeturinash në mes të rrugës, të cilëve më pas u vunë flakën.
Tre persona marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka njoftuar se deri në orën 16:00, tre persona kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Universitar të Traumës.
Sipas njoftimit zyrtar, të lënduarit janë një efektiv policie, një 15-vjeçar dhe një përfaqësuese e medias.
“Gjendja e tyre është stabël, po kryejnë ekzaminimet dhe po marrin trajtimin nga stafet mjekësore dhe infermierore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ministria përgënjeshtron lajmin për vdekjen e një të mituri
Ministria e Shëndetësisë ka reaguar edhe ndaj informacioneve të shpërndara në rrjetet sociale për një viktimë gjatë protestave.
Autoritetet kanë përgënjeshtruar kategorikisht lajmin për humbjen e jetës së një të mituri, duke theksuar se informacioni është i pavërtetë.
Ministria u ka bërë thirrje mediave dhe qytetarëve të tregojnë përgjegjësi në verifikimin dhe shpërndarjen e informacioneve, për të shmangur përhapjen e lajmeve të rreme që shkaktojnë panik dhe tensione të panevojshme. /rtk/

