Peja e ndali shkëlqimin e Yllit, merr fitore në Suharekë

Peja e ndali shkëlqimin e Yllit, merr fitore në Suharekë

Peja ka dalë triumfuese nga ndeshja e parë çerekfinale të Play-Offit ndaj Yllit duke fituar me rezultat 71:77.

Vendasit e nisën ndeshjen më mirë, ku fituan në çerekun e parë me rezultat 23:19, por Peja ktheu avantazhin pasi periodën e dytë e fitoi me 11 pikë më tepër, 11:29.

Fundi i pjesës së parë ishte i tensionuar, ku dueli u ndërpre për shkak të fyerjeve në kor nga ana e tifozëve.

Duke shkuar në zhveshtore, basketbollisti i Pejës Griciunas, ka provokuar tifozët vendas duke e bërë me gishta shkronjën “L”.

Ky provokim i irritoi edhe më tepër tifozët vendas, të cilët gjuajtën me karrige në drejtim të lojtarëve kundërshtarë, njofton Klankosova.tv.

Ylli e zbuti epërsinë e Pejës në çerekun e tretë, të cilin e fitoi me katër pikë diferencë, 19:15, por që Peja arriti ta ruante epërsinë e krijuar deri në fund, ku periodën e fundit fitoi me rezultat 11:14.

Më i miri në parket te Ylli ishte Palokaj me 20 pikë, tre topa të rrëmbyer e pesë asistime, ndërsa te Peja u dallua Griciunas me 17 pikë, 11 topa të rrëmbyer e dy asistime.

Ndeshja e dytë çerekfinale e Play-Offit do të luhet pas tri ditësh në “Karagaç” duke filluar nga ora 19:00.

Share This