PDK në Prishtinë me akuza për Ramën: Po synon ta falimentojë ‘Pastrimin’
Partia Demokratike në Prishtinë ka drejtuar akuzua karshi kryetarit të kryeqytetit Përparim Rama se po synon që ta falimentojë ndërmarrjen “Pastrimi” e t’i lërë pa punë rreth 900 punëtorë.
Në një konferencë për media asamblistja e PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gresa Lahu, tha se përveç mungesës së shërbimeve në grumbullimin e mbeturinave, mungesë ka edhe te mekanizmat veprues, siç janë kamionët dhe kontejnerët.
“Udhëheqësit komunal në krye me Përparim Ramën dhe drejtorin e DSHP-së, Bekim Brestovcin, kanë tendencë të shtyjnë përpara vendime që jo vetëm e dëmtojnë xhepin e qytetarëve dhe buxhetin e komunës, por në mënyrë direkte dhe të pakthyeshme i dëmtojnë edhe rreth 900 punëtorë të ndërmarrjes publike, duke i lënë ata të pa punë dhe duke e falimentuar ndërmarrjen “Pastrimi”, gjë që do të krijonte krizë socio-ekonomike në rreth 900 familje”, tha ajo.
Ndërsa, asamblisti tjetër i PDK-së Granit Geci, tha se kjo çështje po bëhet qëllimshëm nga komuna që sipas tij, t’ia japë më lehtë tenderin prej 16.5 milion eurosh operatorit privat në këtë veprimtari publike.
“Kjo gjendje me menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë është e qëllimshme që të favorizohet operatori privat. Komuna e Prishtinës tash e 3 vite nuk e ka blerë as edhe një kamion të vetëm për ndërmarrjen publike dhe po i ruan kontejnerët e rinj për t’ia ofruar operatorit privat”, tha ai.
Kanë treguar se grupi i tyre në asamble do të ushtrojnë të drejtën e Plotësim-ndryshimit të Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave duke i bërë thirrje edhe asamblistëve të tjerë ta mbështesin rregulloren, e cila sipas tyre, ka për qëllim përmirësimin e situatës me mbeturinat në kryeqytet.
Ndërkohë opozitarët e komunës, i kanë bërë thirrje kryetarit Rama, që me urgjencë ta bëjë shpërndarjen e kontejnerëve, të investojë në kamionë të rinj dhe të anulojë tenderin 16 milionësh, raporton rtk.