Pasiguria politike, analistët thonë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja

Pasiguria politike, analistët thonë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja

6 vota janë përcaktuese të fatit të institucioneve të reja të Kosovës. Pjesën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje e ka të siguruar, ndërsa edhe 6 nevojiten për zgjedhjen e presidentit të shtetit. Njohësit e politikës thonë se mungesa e konsensusit brenda LDK-së për zgjedhjen e presidentit ka shtuar mundësitë që Kosova të shkojë në zgjedhje. Megjithatë, sipas tyre, zgjedhjet nuk do të jenë as këtë herë zgjidhje.

Gjashtë votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës kundër marrëveshjes për presidentin kanë rikthyer në diskutim mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja, të cilat do të ishin të katërtat me radhë brenda dy vitesh.

Njohës të politikës thonë se në situatën e krijuar janë ngushtuar mundësitë për formimin e institucioneve të reja.

“E kam thënë disa herë të tjera se nuk kemi të bëjmë me kandidaturën për president. Kemi të bëjmë me qasjen dhe pozicionin politik që këta gjashtë deputetë e kanë tash e një kohë të gjatë. Ata kanë thënë disa herë që ata janë kundër çdo bashkëpunimi me Kurtin dhe kjo nënkupton edhe zgjedhjen e presidentit. Tashmë është e qartë që gjasat janë shumë të mëdha që të shkojmë në zgjedhje, pasi që ndarja brenda LDK-së është shumë e madhe dhe kjo nuk është një risi, kjo është diçka që ka qenë evidente qysh më herët, kështu që aktualisht në gjendjen në të cilën gjendemi, zgjidhja e vetme do të jenë zgjedhjet e reja”, tha për RTK-në, Artan Alijaj, njohës i çështjeve politike.

Për shkak të refuzimit të gjashtëshes së LDK-së, Lëvizja Vetëvendosje është në kërkim të 6 votave të tjera. Analistët shprehen skeptikë që PDK-ja e AAK-ja do t’ia sigurojnë ato, andaj edhe zgjedhjet në këtë situatë i shohin të pashmangshme.

“AAK-ja ka qëndrim sepse i ka gjashtë pikat që i ka propozuar te LVV. Kurti para mediave tha se kam garuar me një program politik dhe ekonomik para qytetarëve kështu që s’mund ta inkorporojë programin e dikutj tjetër për ta futur në zbatim në qeveri. Kështu që edhe gjasat janë shumë të volga që edhe Aleanca të jetë pjesë e ndonjë marrëveshje. Prandaj, ka gjasa që asnjë deputetë i PDK-së dhe Aleancës nuk ka votë për presidentin”, theksoi Sadik Zeqiri, njohës i politikës.

Por, a janë zgjedhjet e reja zgjidhje?

“Po tash e 18 muaj po themi që zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje. Mendoj që e njëjta do të vlejë prapë. Mirëpo ja që kemi një një përqendrim të tillë në dy kampet, të cilat janë aq shumë të ndara dhe aq shumë në luftë me njëra-tjetrën saqë nuk mund të parashohin një bashkim me njëra-tjetrën”, shtoi Alijaj.

“Ne duhet të jemi më të vëmendshëm, më të vetëdijshëm për atë çka po i bëjmë popullit, e kam fjalën për liderët politikë. Ne duhet të jemi të koncentruar të votojmë dhe të kërkojmë zgjidhje nga liderët tanë politikë dhe vendi të ecë përpara”, tha Zeqiri.

Të mërkurën, kryeministri në detyrë, Albin Kurti takoi sërish kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku për të diskutuar rreth situatës aktuale politike. Kurti gjithashtu mbajti takim edhe me komunitetet joserbe që kanë mandate në Kuvendin e Kosovës. /RTK/

Share This