
Paralajmërim i Uashingtonit/ Ambasadat e SHBA-së në Lindjen e Mesme u bëjnë thirrje qytetarëve amerikanë të përgatiten për largim
Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në disa kryeqytete kyçe të Lindjes së Mesme kanë lëshuar udhëzime sigurie, duke paralajmëruar qytetarët amerikanë për rrezikun e një përshkallëzimi të mundshëm të konfliktit rajonal. Udhëzimet zyrtare u kërkojnë atyre të tregojnë kujdes të shtuar dhe të jenë të gatshëm për t’u larguar nga rajoni nëse situata e sigurisë përkeqësohet.
Në këshillat e sigurisë të shpërndara nga misionet diplomatike amerikane në Aman, Jerusalem dhe Bagdad, theksohet domosdoshmëria e marrjes së masave paraprake:
“Amerikanët në rajon duhet të marrin në konsideratë largimin, ose të jenë të përgatitur ta bëjnë këtë në rast të një përshkallëzimi.”
Alarmi i misioneve diplomatike në mediat sociale pasqyron shqetësimin në rritje të autoriteteve amerikane për stabilitetin në rajon, ndërsa qytetarëve u kërkohet të ndjekin me vëmendje njoftimet e mëtejshme zyrtare dhe të rishikojnë planet e tyre të udhëtimit. /rtsh/

