Pamje nga Ura e re e Kukësit e ndriçuar, Rama: Shani sa më shumë se plas syri i keq dhe na shtoni inatin për punë
Kryeministri Edi Rama ka ndarë mbrëmjen e sotme pamje nga Ura e Madhe në Kukës, e cila u inaugurua gjatë mesditës, duke e cilësuar këtë projekt si një arritje të rëndësishme për qarkun dhe qytetarët e Kukësit.
“Për hajër Ura e Madhe e Kukësit”, shkruan kryeministri Rama në postimin e tij, duke e shoqëruar mesazhin me një lutje për ata që kanë shprehur dyshime për cilësinë dhe qëndrueshmërinë e ndërtimit. “Dhe një lutje e sinqertë për ata që thoshin ra ura, u ndryshk ura, u prish ura: Kur të kaloni mbi urë ta gëzoni po aman shani sa më shumë, se plas syri i keq dhe na shtoni inatin për punë,” vijon mesazhi i tij.
Kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, njëherazi ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, morën pjesë sot në ceremoninë e përurimit të urës, ndërsa u përshëndetën edhe me banorë të zonës.
Ura e re e Kukësit është një nga projektet infrastrukturore të ndërmarra nga qeveria, që synon të përmirësojë ndërlidhjen dhe qasjen e qytetarëve në këtë zonë, duke lehtësuar lëvizjen dhe duke krijuar mundësi të reja zhvillimi për komunitetin lokal.
Ura është një vepër e veçantë, jo vetëm nga ana si vepër arti, por edhe nga struktura dhe metodologjia e saj e punës. Ura në vetvete ka kushtuar e gjitha 40 milionë euro përfshirë edhe dy rrugët e aksesit, të hyrjes e të daljes.
Ura e Madhe e Kukësit bashkon brigjet e Drinit në Rrugën e Kombit. E projektuar nga një prej arkitektëve më të njohur italian Giorgio Rizzo, kjo urë i jep zgjidhje një nyjeje të vjetër lidhëse të dy anëve të liqenit me rrugën kombëtare, duke zëvendësuar urën e vjetër ekzistuese dhe lehtësuar ndjeshëm qarkullimin në atë zonë.
Ura e Madhe e Kukësit mbi lumin Drin ka një gjatësi totale prej 310 metra, ndërsa harku metalik ka një bazë prej 270 metra, një lartësi prej 56 metra.
Ura ka 4 korsi në dy kahet e lëvizjes me ndarës trafiku të ndërmjetëm dhe me kavo çeliku që fiksohen nga bazamenti në harkun e urës. /atsh/