Paga minimale do të jetë 500 euro, implementimi nisë në janar

Paga minimale do të jetë 500 euro, implementimi nisë në janar

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, pas takimit me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se janë pajtuar që paga minimale në Kosovë të jetë 500 euro, sipas planifikimeve të sindikatës.

Azemi tha se nëse gjithçka shkon sipas planit, ky nivel i ri i pagës minimale do të fillojë së zbatuari nga janari i vitit të ardhshëm.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se ministri Murati ka dhënë një sqarim lidhur me procesin e përcaktimit të pagës minimale, duke theksuar se përgjegjësinë zyrtare e ka Këshilli Ekonomiko-Social, por në mungesë të funksionimit të tij, ministri mund të marrë vendim për këtë çështje.

“Ka qenë një shpjegim i ministrit për shkak se pagën minimale e përcakton Këshilli Ekonomiko-Social. Në mungesë të saj, ai thotë se i ka kompetencat të vendos derisa në këtë këshill janë edhe disa sindikata tjera, por sipas ministrit, ato nuk i plotësojnë kushtet dhe për atë arsye nuk janë thirrur”, ka deklaruar Azemi.

Nga ana tjetër, Kushtrim Ahmeti nga Dhomat e Tregtisë tha se takimi me ministrin ishte konsultativ, duke theksuar se kanë kërkuar që procesi të shtyhet deri në krijimin e një qeverie të plotë dhe një Kuvendi funksional.

Share This