
OVL e UÇK-së: Refuzimi i provave të mbrojtjes së Jakup Krasniqit nga Specialja, vendim i padrejtë dhe i njëanshëm
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat kanë refuzuar shumicën e provave të paraqitura nga mbrojtja e Jakup Krasniqit – prova që dokumentonin krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Në një deklaratë për media, OVL e UÇK-së e ka cilësuar këtë vendim si “të papranueshëm dhe thellësisht të padrejtë”, duke e quajtur atë një dëshmi të qartë të qasjes së njëanshme të kësaj gjykate.
“Kjo gjykatë po përpiqet ta paraqesë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës jashtë kontekstit të saj historik, duke mohuar krimet që sollën shkatërrim dhe gjenocid në vendin tonë,” thuhet në reagimin e OVL-së.
Sipas organizatës, shpallja si të “parëndësishme” e dëshmive për masakrat dhe krimet e kryera nga Serbia përbën “mohim të së vërtetës historike dhe fyerje ndaj kujtesës së popullit të Kosovës”.
“Kjo është një fyerje për drejtësinë dhe kujtesën historike të Kosovës. Ky vendim është edhe një arsye më shumë për të protestuar dhe për të ngritur zërin kundër padrejtësive që po u bëhen çlirimtarëve të vendit,” thuhet më tej në reagim.
Mbrojtja e Jakup Krasniqit, ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishte kërkuar pranimin e disa materialeve si prova që, sipas avokatëve, kishin “vlerë provuese” për rastin. Por, Specialja i ka konsideruar ato si jorelevante për akuzat ndaj tij.
Në vendimin e gjykatës thuhet se provat që lidhen me krimet e kryera nga Serbia në Kosovë “nuk kanë rëndësi për akuzat kundër të akuzuarit”, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e materialeve të paraqitura – përfshirë një video të BBC-së për ngjarjet në Rahovec – është pranuar si potencialisht relevante.
Mbrojtja kishte theksuar se provat tregonin mungesën e kontrollit efektiv të Krasniqit mbi individët që mund të kishin kryer krime pas përfundimit të luftës, si dhe mungesën e dijenisë apo qëllimit për akte të tilla.
Megjithatë, gjykata ka hedhur poshtë shumicën e materialeve, duke i cilësuar si “të parëndësishme, pa vlerë provuese të dukshme dhe proceduralisht të papranueshme”.
Vendimi i Speciales ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë, veçanërisht nga organizatat e veteranëve, të cilat paralajmërojnë intensifikim të reagimeve publike kundër asaj që e quajnë “shtrembërim të historisë së luftës çlirimtare”.


