Osmani: Vuçiq po sulmon Turqinë, një vend që na ndihmon të mbrojmë paqen

Osmani: Vuçiq po sulmon Turqinë, një vend që na ndihmon të mbrojmë paqen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për Turqinë, duke i cilësuar ato si të papërgjegjshme dhe sulmuese ndaj një vendi aleat të NATO-s që ka ndihmuar në ruajtjen e paqes në rajon.

Në një postim në platformën X, Osmani tha se në të njëjtën ditë kur presidenti amerikan Donald Trump vlerësoi Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për udhëheqjen e tij të jashtëzakonshme në promovimin e paqes dhe sigurisë globale, Vuçiq “po sulmon pa turp Turqinë, një vend që po na ndihmon të mbrojmë paqen”.

“Jam krenar që kam punuar ngushtë me Presidentin Erdogan, një njeri i fjalës, i cili gjithmonë ka treguar kujdes të thellë dhe të sinqertë për popujt e rajonit dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë. Vuçiq, ndërkohë, duket se beson se mund të kërcënojë një vend të madh të NATO-s si Turqia, njësoj siç kërcënon vendet fqinje. Në vend që të punojë me shtetet e NATO-s, ai shtyn përpara bashkëpunimin me Rusinë, Kinën dhe Iranin”, shkroi Osmani.

Kreu i shtetit theksoi se Kosova do të vazhdojë të forcojë marrëdhëniet me aleatët e NATO-s, duke modernizuar kapacitetet mbrojtëse sipas standardeve të Aleancës, me qëllim garantimin e paqes dhe stabilitetit për qytetarët e saj.

“Vuçiq duhet të përpiqet të bëjë të njëjtën gjë, në vend që të sulmojë vazhdimisht fqinjët e tij. Por, për mendjen e tij hegjemoniste, e ngujuar në të kaluarën dhe e fiksuar me ngacmimin e të tjerëve, një maturi e tillë duket e paarritshme,” shtoi ajo.

Në fund të reagimit të saj, Osmani shprehu mirënjohje për Turqinë dhe popullin turk:

“Faleminderit President Erdogan dhe popullit vëlla të Turqisë që na ndihmoni në mbrojtjen e paqes dhe që gjithmonë keni qëndruar në krah të popullit të Kosovës. Lidhja jonë e fortë qoftë e përhershme.”

Share This