
Osmani viziton familjet e prekura nga Masakra e Reçakut: E vërteta është themel i përhershëm i shtetit të Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar të enjten në Reçak dy familje që u goditën rëndë nga Masakra e Reçakut, duke theksuar se historia e tyre mbetet një plagë e hapur, por edhe një dëshmi e qëndresës dhe e së vërtetës së pamohueshme.
Gjatë vizitës, presidentja u takua me familjen Kamberi dhe familjen Ismajli, të cilat humbën anëtarë të familjes në njërën nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë.
Osmani ka përmendur rastin e Hazbi Kamberit, i cili ishte plagosur në moshën 15-vjeçare, si dhe babain e tij, i cili u masakrua mizorisht pasi refuzoi të braktiste shtëpinë. Po ashtu, ajo ka përkujtuar edhe familjen Ismajli, ku Muhamet Ismajli humbi jetën bashkë me gjashtë kushërinjtë e tij gjatë Masakrës së Reçakut, ndërsa fati i Sahide Ismajlit ende mbetet i pazbardhur, ndonëse varri i saj është i hapur.
“Këto histori shpërfaqin të vërtetën që nuk mund të fshihet asnjëherë. Reçaku është dëshmi e krimit, por edhe e qëndresës dhe e drejtësisë që nuk shuhet”, ka shkruar presidentja Osmani në një postim në Facebook.
Ajo theksoi se Kosova qëndron mbi sakrificën e këtyre familjeve dhe se e vërteta për Masakrën e Reçakut mbetet e përhershme dhe themel i shtetit të Kosovës.
“Reçaku jeton në secilën nga këto familje, në secilën derë që krimi nuk arriti ta mbyllë, në secilën zemër që refuzon harresën, si dhe në fëmijët e të rinjtë që tregimin për Reçakun do ta përcjellin brez pas brezi. E vërteta e pamohueshme dhe e përhershme është themeli ynë”, ka shkruar Osmani.


