Osmani priti në takim ish-presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid

Osmani priti në takim ish-presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ish-presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid, një mike dhe mbështetëse e Kosovës gjatë presidencës së saj.

Në takim, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e përzemërt ndaj ish-presidentes Kaljulaid për mbështetjen e palëkundur gjatë kohës së saj në detyrë dhe për avokimin e vazhdueshëm të Estonisë për Kosovën në skenën ndërkombëtare.

Presidentja Osmani e ka njoftuar ish-presidenten Kaljualid edhe me zhvillimet e fundit në vend pas sulmit terrorist në infrastrukturën vitale duke rikonfirmuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për kryerjen e një hetimi të plotë dhe profesional. Ajo theksoi se sulmi synonte në mënyrë specifike infrastrukturën kritike, duke synuar të shkaktonte dëme të konsiderueshme që do të ndikonin drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë thelbësore të bashkëpunimit për t`i luftuar bandat kriminale serbe, të cilat mbështeten, trajnohen dhe financohen nga Serbia, ndaj theksoi nevojën për komunikim dhe koordinim me qëllim të parandalimit të sulmeve të tjera të mundshme.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Estonisë dhe riafirmoi përkushtimin e Kosovës për ndërtimin e një të ardhmeje të bazuar në vlerat demokratike, stabilitetin dhe prosperitetin dhe theksoi përkushtimin e saj për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Estonisë.

Share This