Osmani pranon raportin për Kosovën

Osmani pranon raportin për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të martën në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, i cili i dorëzoi “Raportin për Kosovën 2024” nga Komisioni Evropian.

Sipas njoftimit të Presidencës, raporti i sivjetshëm vlerëson pozitivisht progresin e Kosovës në disa fusha, si dhe identifikon sfida në disa fusha të tjera.

Me këtë rast, presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për integrimin në BE.

Në këtë frymë, presidentja Osmani u shpreh se zgjerimi i BE-së do të kontribuojë jo vetëm në prosperitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, por edhe në paqen dhe sigurinë afatgjatë në rajon dhe më gjerë.

Më tej, Osmani deklaroi se Kosova vazhdon të jetë në ballë të reformave dhe është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, një element që është theksuar edhe në raport.

Në takim u diskutuan edhe gjetjet e raportit, të cilat nënvizojnë nevojën për adresimin e mospërputhjeve në fusha të caktuara.

Presidentja theksoi se këto gjetje duhet të trajtohen me prioritet, me qëllim të avancimit të vazhdueshëm të demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Presidentja Osmani ka potencuar se është shumë me rëndësi që raporti ka ritheksuar nevojën e përsëritjes së procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit, duke respektuar parimet e transparencës dhe meritokracisë.

Siç njofton Presidenca, raporti i sivjetshëm veçon përpjekjet e pandalshme të presidentes Vjosa Osmani në agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS).

Aty theksohet vëmendja e lartë politike nga ana e Presidentes për barazinë gjinore, të drejtat e grave dhe viktimave të dhunës seksuale e njëkohësisht organizimi i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë i cili kishte mbledhur mbi 1 mijë pjesëmarrës nga mbi 40 vende të botës.

Share This