
Osmani përkujton 28-vjetorin e sulmit të dytë mbi familjen Jashari: Prekazi, simbol i përjetshëm i lirisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sot 28-vjetorin e sulmit të dytë të regjimit serb mbi familjen Jashari, duke e cilësuar Prekazin si simbol të përjetshëm të rezistencës dhe lirisë së popullit shqiptar.
Në një postim përkujtimor, Osmani ka theksuar se kjo ditë shënon kujtesë dhe krenari kombëtare, pasi familja Jashari u përball heroikisht me makinerinë vrastare të regjimit serb, pa u dorëzuar kurrë.
“Në këtë ditë kujtese e krenarie shënojmë 28-vjetorin e sulmit të dytë të regjimit gjenocidal serb mbi familjen Jashari. Dita kur Prekazi nuk u përkul, por u ngrit si kambanë lirie për gjithë kombin”, ka shkruar Osmani.
Sipas Presidentes, ky sulm ishte paralajmërim i epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Prekazi foli me pushkë, sepse liria nuk dhurohet, por fitohet. Ky sulm ishte vetëm paralajmërimi i epopesë. Më 5 mars 1998, Serbia sulmoi sërish. Tri ditë luftë. 59 anëtarë të familjes Jashari ranë heroikisht, bashkë me komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari”, ka theksuar ajo.
Osmani ka nënvizuar se sakrifica e familjes Jashari ishte themel për lirinë e Kosovës, duke e cilësuar Prekazin si vendin simbol të qëndresës kombëtare.
“Ata nuk ranë për të vdekur, por për t’u përjetësuar dhe për ta bërë Kosovën e lirë. Prekazi është altari i lirisë, djepi i UÇK-së, ndërkaq familja Jashari, flamuri që valon përjetësisht!”, ka përfunduar Presidentja.


