
Osmani: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër, e vërteta nuk ndryshohet
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se çdo përpjekje për të barazuar luftën çlirimtare të UÇK-së me agresionin dhe krimet e Serbisë minon besimin në drejtësi dhe dëmton rëndë paqen afatgjatë në rajon.
“Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo ka theksuar se gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë kryer nga Serbia kundër popullit të Kosovës, duke përfshirë vrasjen dhe masakrimin e mijëra fëmijëve, grave dhe burrave, dhunimin e mijëra personave, shkatërrimin e mijëra shtëpive dhe dëbimin e mbi 80% të qytetarëve.
Deklarata e presidentes vjen pas kërkesës së Kryeprokurores së Dhomave të Specializuara në Hagë, Kimberly Ëest, e cila në fjalët përfundimtare të seancës ka kërkuar 45 vite burgim për secilin nga ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
West ka theksuar se kërkesa e ZPS-së mbështetet në kontributet individuale të secilit për krimet e kryera, duke kërkuar vendosjen e një dënimi unik prej 45 vitesh për secilin të akuzuar.


