Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës
Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim ministren e Shtetit për Evropë dhe Klimë të Republikës Federale të Gjermanisë, Anna Lührmann.
Sipas komunikatës së Presidencës, në takim u diskutua për tejkalimin e sfidave të përbashkëta, rëndësinë e bashkëpunimit Kosovë-Gjermani, si dhe mbështetjen gjermane për integrimin euroatlantik të vendit tonë.
“Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat padrejtësisht po prekin më së shumti qytetarët e vendit. Po ashtu, në takim u diskutua edhe për Procesin e Berlinit, me ç’rast presidentja Osmani ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dalura nga ky proces”, thuhet në komunikatë.
Presidentja Osmani, në prag të lansimit zyrtar të Qendrës Rajonale për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka shprehur rendësin e rritjes së partneritetit me Gjermaninë për iniciativa të përbashkëta të cilat kanë për qëllim avancimin tutje të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.