Orban: Fitorja e Trump do ta detyronte Evropën të rimendonte mbështetjen për Ukrainën

Orban: Fitorja e Trump do ta detyronte Evropën të rimendonte mbështetjen për Ukrainën

Evropa do të duhet të rimendojë mbështetjen e saj për Ukrainën nëse Donald Trump zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tha sot kryeministri hungarez Viktor Orban, sipas “Reuters”.

Orban kundërshton ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe e ka bërë të qartë se mendon se Trump ndan pikëpamjet e tij dhe se do të negocionte për paqe në Ukrainë.

Ai mbështet ish-presidentin Trump, kandidatin republikan, përballë rivales së tij, kandidates demokrate Kamala Harris në zgjedhjet e së martës në SHBA.

“Ne, në Evropë, duhet të kuptojmë se nëse do të ketë një president pro paqes në Amerikë… nëse ndodh ajo që presim dhe Amerika bëhet pro- paqes, atëherë Evropa nuk mund të mbetet pro luftës”, tha Orban.

“Ukraina do të jetë në krye të axhendës kur liderët evropianë të takohen në Budapest javën e ardhshme”, tha ai, duke iu referuar një takimi të Komunitetit Politik Evropian dhe një takimi jozyrtar të liderëve të BE-së që do të zhvillohet.

“Evropa nuk mund ta mbajë barrën e luftës, e vetme dhe nëse amerikanët kalojnë në paqe, atëherë ne gjithashtu duhet të përshtatemi, dhe kjo është ajo që do të diskutojmë në Budapest”, tha Orban.

Evropa është e shqetësuar se si do të ndikojë rezultati i zgjedhjeve në SHBA, në luftën në Ukrainë dhe sigurinë e kontinentit.

Orban ka shkaktuar zemërim ndaj Brukselit me lidhjet e tij të ngushta me Rusinë dhe kundërshtimin ndaj ndihmës për Ukrainën.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto tha në korrik se qeveria hungareze e shihte Trumpin si një “shans për paqe” në Ukrainë.

Në korrik, Orban tha se ekipi i tij po ndihmonte ndihmësit e Trump me politikat për familjet dhe migracionin. /ATSH/

Share This