Orav: BE nuk i tregon Kosovës kë të zgjedhë për president

Orav: BE nuk i tregon Kosovës kë të zgjedhë për president

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, në takimin e fundit me gazetarët kosovarë në përmbyllje të mandatit të tij ka theksuar se Bashkimi Evropian nuk mund t’i tregojë Kosovës së kë do ta zgjedhë president.

“Zgjedhja e presidentes apo presidentit është zgjedhje e juaj, sigurisht e parlamentarëve tuaj të cilët sipas Kushtetutës duhet të votojnë, të propozojnë kandidatë. Nëse askush nuk propozon kandidat, për ne si vëzhgues ndërkombëtarë nuk di çfarë të them. Nuk e di cilat janë pritjet nga ne në këtë rast, por mendoj se Kosova është mjaft e pjekur. Ne nuk kemi qasje që t’ju tregojmë se si ta zgjidhni presidentin apo kë ta zgjidhni”, tha Orav, raporton rtk.

Ai tha se çfarëdo vendimi që merr Gjykata Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes, Bashkimi Evropian do të jetë i kënaqur me atë vendim.

Duke folur për procesin e integrimit në BE, Orav ka thënë se Kosova dhe Serbia mund të ecin bashkë drejt këtij qëllimi, porse sipas tij dialogu në Bruksel është pjesë kyçe e këtij rrugëtimi.

Ai ka thënë se lufta në Ukrainë ka dhënë një moment të ri të zgjerimit të BE-së dhe se kjo ka bërë që edhe vendet e Ballkanit Perëndimor të lëvizin përpara.

“Mendoj se një pjesë shumë e rëndësishme integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian është dialogu dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë. Normalizimi mes dy vendeve është shumë i nevojshëm”, shtoi ai.

Share This