Objektivi i madh i mbrojtjes, Bayerni shton milionat, Leverkuseni reziston
Bayern Munich nuk heq dorë nga Jonathan Tah.
Rekordmenët e futbollit gjerman kanë piketuar qendërmbrojtësin e Bayer Leverkusenit dhe kombëtares gjermane si përforcimin e duhur për prapavijën.
28-vjeçari, pjesë e “Aspirinave” prej vitit 2015, ka edhe një vit kontratë me klubin ku sezonin e kaluar shijoi titullin kampion dhe Kupën e Gjermanisë.
Bavarezët kanë bërë një tjetër propozim për homologët e Leverkusenit, me këta të fundit që refuzuan në fillim 20 mln euro. Oferta e dytë e Bayernit është 25 mln euro: 20+5 në formë bonuesh.
Sigurisht që kartoni i Tah, i cili ishte pjesë e kombëtares gjermane në Euro 2024, kushton më shumë. Por fakti që ka edhe një vit kontratë ndikon që Leverkuseni ta shesë disi më lirë.
Xabi Alonso është kundër largimit të lojtarit, por Tah, i cili prej kohësh ka një marrëveshje në parim me Bayernin, dëshiron me çdo kusht të vijojë karrierën tek ekipi i Vincent Kompany. /SS/