Numri i të vdekurve nga sulmet izraelite arrin në 356 persona dhe 1 246 të plagosur
Ministria e Shëndetësisë e Libanit deklaroi se numri i të vdekurve nga sulmet ajrore izraelite ishte rritur në 356 persona, përfshirë 24 fëmijë, dhe 1 246 të tjerë të plagosur.
Këto janë sulmet më vdekjeprurëse izraelite në Liban që nga lufta e fundit e madhe midis Izraelit dhe milicisë së Hezbollahut të lidhur me Iranin në vitin 2006.
Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant tha se Forcat Ajrore izraelite kishin “shkatërruar dhjetëra mijëra raketa që kërcënonin qytetarët izraelitë” në sulmet masive kundër Hezbollahut në Libanin jugor.
Hezbollahu dhe Izraeli kanë shkëmbyer zjarr pothuajse çdo ditë për rreth një vit. Rreth 150 000 njerëz në të dy anët e kufirit janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Konflikti u përshkallëzua sërish javën e kaluar pasi mijëra pajisje komunikimi u shpërthyen në Liban, duke vrarë më shumë se 50 njerëz, përfshirë civilë, si dhe një sulm izraelit ndaj udhëheqjes së Hezbollahut pranë Bejrutit. /ATSH/