Një vit nga rënia e heroit të Kosovës Afrim Bunjaku
Sot shënohet njëvjetori i rënies së Heroit Afrim Bunjaku. Rreshteri policor Afrim Bunjaku u vra nga një sulm terrorist në veri të vendit, nga bandat kriminale serbe, të armatosura e të maskuara në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot organizohen aktivitete për shënimin e njëvjetorit të rënies së heroit Afrim Bunjaku.
Në ora 09:00, do të ketë vizita te familja e Heroit Afrim Bunjaku, në orën 09:30 do të bëhen homazhe te varri i Heroit Afrim Bunjaku dhe vendosen kurora me lule, si dhe do të bëhet përurimi i rregullimit të pllakës dhe varrit të heroit.
Po ashtu në shënim të kësaj ditë nga ora 15:00, mbahet akademia Përkujtimore në sallën e Kuqe, Pallati i Rinisë- Prishtinë.
Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur i prirë nga ish-politikani Millan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Nga ky sulm agresioni një pjesëtar i Policisë së Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë në orët e para të së dielës në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës.
Bashkësia ndërkombëtare pati dënuar sulmin në Banjskë, raporton rtk.