Një veteran kroat i luftës vret nënën e tij dhe pesë persona të tjerë
Autoritetet në Kroaci kanë dhënë detaje të reja rreth sulmuesit i cili më herët vrau gjashtë persona, përfshirë edhe n[ën e tij, në një shtëpi të kujdesit për të moshuar në qytetin Daruvar në pjesën lindore të vendit.
Autoritetet kroate kanë shtënë detaje të reja rreth incidentit në shtëpinë e pleqve në Daruvar ku janë vrarë 6 dhe janë plagosur 6 persona të tjerë në ngjarjen e cila u përshkrua si pa precedent në vend.
Sipas policisë sulmuesi, i cili prej mediumeve u identifikua si Kresimir Pahoki, për arsye ende të paqarta , pak pas orës 10 të mëngjesit, përderisa ishte duke vizituar nënën e tij e cila gjendej në shtëpinë për kujdesin e të moshuarve në Daruvar, hapi zjarr drejtë të pranishmëve.
Është raportuar se në mesin e 6 të vrarëve është edhe nëna e Pahoki-t përderisa 4 nga të 6 plagosurit janë në gjendje kritike. mediumet kroate, të cilat thirrën në një punonjës që gjendej brenda shtëpisë së kujdesit në kohën e incidentit raportuan se vrasësi, së pari qëlloi nënën e tij dhe pastaj vazhdoi me të shtëna drejtë kujdo tjetër që ishte në afërsi.
Menjëherë pas vrasjeve, Pahoki u largua nga vendi i ngjarjes dhe policia e gjeti atë pak më vonë në një kafene- ku ai u dorëzua pa kurrfarë rezistence.
Sipas zyrtarëve dhe mediumeve kroate, Kreshimir Pahoki, i lindur në vitin 1973 është veteran i luftës për pavarësinë e Kroacisë dhe ish pjesëtar i policisë ushtarake. Policia ka thënë se, në të kaluarën, Pahoki disa herë ka qenë në konflikt me ligjin për shkak të dhunës në familje apo incidenteve të dhunshme në publik përderisa mediumet raportuan edhe se ai ka pasur probleme të mëdha me alkool.
Megjithatë, motivet e sakta pse Pahoki kreu vrasjen masive ende nuk dihen dhe autoritetet janë duke e marrë atë në pyetje në tentim të zbulimit të motivit. /rtk/