Nita Shala emërohet ambasadore e Kosovës në Itali
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka emëruar Nita Shalën si ambasadore të Kosovës në Itali.
Presidentja Osmani, përmes platformës ‘X’, u shpreh se është e lumtur që po emëron Nita Shalën si ambasadore të Kosovës në Itali.
Presidentja tha se Nita Shalën e njeh prej dy dekadash dhe që ka besim në profesionalizmin e saj, dhe se do t’i shërbejë vendit me nder.
“E lumtur që emërova Nita Shalën, një profesioniste e shquar juridike, si Ambasadore të re të Republikës së Kosovës në Republikën e Italisë. Unë e njoh Nitën profesionalisht për rreth dy dekada dhe nuk kam dyshim se ajo do t’i shërbejë vendit të saj me nder”, ka shkruar Osmani.