Nga 1 korriku paga mesatare 950 euro, Rama ndan reagimet e mësuesve: Na u kthye dinjiteti
Mësuesit nga 1 korriku do të marrin një pagë mesatarisht 950 euro në muaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot një video ku mësuesit vlerësonin vendimin për të rritur pagën e tyre duke e cilësuar edhe si motivim dhe dinjitet.
“Falë një rruge të mundimshme reformash e rimëkëmbjeje tërësore të këtij vendi që e morëm në dorë copë e çikë, e çuam pagën mesatare të mësuesve në 950 euro në muaj. Me bindje se më e mira është ende përpara”, tha Rama.
“Është një lajm i gëzueshëm për ne pasi kthehet në një vlerësim të madh për figurën e mësuesit, punën tonë dhe angazhimin tonë të përditshëm në arsim”, shprehet mësuesja e shkollës “Kosova”, Elmie Novi.
Mësuesja e shkollës “Asim Vokshi”, Eva Taku thekson se më në fund mësuesit po vlerësohen ashtu si duhet.
Ndërsa për mësuesen Brunilda Hajdari e cila e ka vitin e parë të punës në shkollën “Kosova”në Tiranë rritja e pagës në nivel të konsiderueshëm është një stimul për të ecur përpara.
Edhe mësuesja e shkollës “Asim Vokshi”, Eva Pustina e sheh si mjaft të domosdoshme rritjen e pagave duke e cilësuar si lajm i mirë.
Mimoza Metushi, mësuese në shkollën “Asim Vokshi” thotë se vendimi i qeverisë ishte mjaft i rëndësishëm pasi vendos dinjitetin e mësuesit.
Paga e mësuesit në arsimin e mesëm të lartë që ka kualifikimin dhe që ka vjetërsi mbi 15 vite pune eksperiencë do shkojë 98 500 lekë.
Paga mesatare e mësuesit në arsimin e mesëm të ulët me mbi 15 vite vjetërsi shkon nga 75 800 në 96 000 lekë.
Mësuesit e ciklit fillor me mbi 15 vite eksperiencë nga 72 mijë lekë paga shkon në 95 200 lekë.
Punonjësit e shërbimit psiko-social, paga mesatare shkon 910 lekë.
Paga mesatare për oficerët e sigurisë 800 mijë lekë. /atsh/