Nesër Legia-Drita, ja çfarë deklarojnë Broja dhe Ramadani

Nesër Legia-Drita, ja çfarë deklarojnë Broja dhe Ramadani

Broja pret shumë nga bashkëlojtarët për ndeshjen me Legian

Kapiteni i Dritës, Rron Broja ka qenë prezent në krahë të trajnerit Zekirija Ramadani në konferencë për media para ndeshjes me Legian.

Ai ka treguar optimizëm dhe ka kërkuar nga bashkëlojtarët që të luftojnë për rezultat pozitiv.

“Jemi shumë të lumtur që jemi këtu në play-off  të Ligës së Konferencës. Na pret një ndeshje mjaftë e vështirë, kundër një kundërshtari mjaft të vështirë. Mirëpo, ne besojmë shumë në vete dhe do mundohemi ta dëshmojmë që nuk jemi rastësisht këtu. Synimi ynë është ta japim maksimumin dhe gjithçka që kemi, që të arrijmë një rezultat pozitiv. Pastaj, në ndeshjen e dytë ta kërkojmë kualifikimin”, ka deklaruar Broja.

Drita ishte përballur edhe me Legian, ku kishte pësuar me rezultat 2-0, pasi në atë kohë në sezonin 2020/21 zhvillohej vetëm një ndeshje shkaku i COVID-19.

Ramadani tregon se çfarë pret nga ndeshje me Legian

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka folur në konferencë për media para ndeshjes me Legia Varshavën, duke thënë se gjilanasit nuk kanë udhëtuar të dorëzuar dhe do t’i provojnë shanset.

“Dihet që kjo ndeshje për ne është një sprovë e fortë. Përballë kemi Legian, një skuadër që në vendin tonë kur është përmendur futbolli polak, gjithmonë na ka shkuar mendja në dy gjëra, në Lewandowskin dhe në Legian. E dimë që është një ekip i madh, por ne nuk kemi ardhur vetëm për shëtitje”, ka thënë Ramadani.

Drita deri tash ka eliminuar klube si Breidablik dhe Auda, duke i rritur apetitet.

Ndeshja ndërmjet Legias dhe Dritës zhvillohet të enjten në Varshavë, kurse fituesi në play-off do ta sigurojë paraqitjen në grupet e Ligës së Konferencës.

Share This