Nëna e Faton Harjizit: Presidentja Osmani e di historinë e djalit, ka qenë përkthyese e tij në vitin 2001
Nëna e Faton Hajrizit, Shehrije Harjizi, në një intervistë në FRONTAL të T7 ka thënë se kanë bërë shumë kërkesa që t’i falet burgu djalit të saj, por thotë se një gjë e tillë s’ka ndodhur. Ajo ka treguar se ka bërë kërkesë që të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani, por thotë se një gjë e tillë s’i është pranuar asnjëherë.
Kur tregon për arsyen e kërkimit të një takimi me presidenten Vjosa Osmani, Shehrije Harjizi thotë se presidentja e di mirë historinë e djalit të saj, Faton Harjizit, meqë gjatë kohës sa ai është mbajtur në burgun e Mitrovicës si 15 vjeçar, presidentja Osmani në atë kohë ka qenë përkthyese në Gjykatë, dhe ka ndihmuar komunikimin mes Faton Hajrizit dhe gjyqtarit, që thotë se ka qenë suedez.
“I kam bo kërkesë presidentes Vjosa Osmani që me e pasë një takim. Asnjëherë s’mu ka dhënë rasti, as me kryeministrin. Presidentja e di shumë mirë rastin. Sa ka qenë Fatoni i mitur, presidentja ka qenë përkthyese e Fatonit. Gjykatësi ka qenë suedez. Fatoni ka folë shqip, ajo iau përkthejke anglisht. Rrethanat që i din ajo”, ka thënë Shehrije Harjizi në FRONTAL.
Madje ajo thotë se Faton Hajrizi në vitin 2001 i kishte mbushur 16 vjeç në burgun e Mitrovicës dhe se presidentja Osmani atë kohë si përkthyese, bashkë me gjyqtarin ia kanë uruar ditëlindjen e madje i kaën blerë edhe dhurata.
“Se në vitin 2001, Fatoni i ka bo 16 vjet në burgun e Mitrovicës. Ne kemi shkuar për vizitë edhe me i dhanë kurajo. Vjosa na ka kërku që gjykatësi suedez po thotë, me majtë vizitë gjysmë orë. Vjosa ka shku me gjykatësin suedez ia kanë uru ditëlindjen, i kanë ble torte”, ka rrëfyer ajo në FRONTAL.