
Në negociatat me BE-në, Shqipëria arriti të bëjë atë që Serbia nuk mundi ta bënte në 10 vjet, mund ta kalojë edhe Malin e Zi
Komisioni Evropian njoftoi se Shqipëria hapi një tjetër grup, të tretë, sot në Konferencën e pestë të Anëtarësimit, që lidhet me konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse.
Janë gjashtë grupe në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe i treti merret me kapitujt për transformimin dixhital dhe median, tatimet, politikën ekonomike dhe monetare, politikën sociale dhe punësimin, sipërmarrjen dhe politikën industriale, shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe kulturën, si dhe bashkimin doganor, shkruan Ballkani.info.
Grupi i parë lidhet me atë që është themelore (drejtësia, liria, siguria, prokurimet publike, statistikat dhe kontrolli financiar), i dyti lidhet me tregun e brendshëm, i treti me konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse, i katërti me axhendën e gjelbër dhe lidhjen e qëndrueshme, i pesti me burimet, bujqësinë dhe kohezionin dhe i gjashti me marrëdhëniet e jashtme. Janë gjithsej 35 kapituj të klasifikuar në gjashtë grupime.
Shqipëria ka hapur negociatat në 16 kapituj që nga nëntori i vitit të kaluar, duke e çuar numrin total të kapitujve që po negocion në 24. Ky numër është më shumë se sa ka hapur Serbia në 10 vjet.
Ekziston mundësia që Shqipëria të kalojë Malin e Zi në negociatat e anëtarësimit në BE nëse vazhdon të përmbushë kërkesat e Bashkimit me këtë ritëm. Ndërkohë, Bosnja dhe Hercegovina është ende në pritje të fillimit të negociatave. Kosova edhe më larg… /Ballkani.info/