Ndarja e 100 eurove, Cakolli: Shembull i përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale

Ndarja e 100 eurove, Cakolli: Shembull i përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale

Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se ndarja e 100 eurove për studentë nga Qeveria në detyrë, ashtu si edhe masat e tjera financiare, nuk janë aktivitete të domosdoshme, as të parapara me buxhetin vjetor apo planin e punës (i cili as nuk është publik).

“Rrjedhimisht, vendimet bien ndesh me Ligjin për Qeverinë dhe kufizimet që ai parasheh për qeverinë në detyrë”.

“Në total, vlera financiare e masave të ndërmarra nga Qeveria në detyrë tashmë ka kaluar vlerën prej mbi 100 milionë eurosh, që tejkalon kufijtë e vendimmarrjes administrative për “çështje rutinore apo të domosdoshme”, duke hyrë në sferën e vendimeve me ndikim politik dhe elektoral”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

Ai ka theksuar se përtej aspektit ligjor, miratimi i këtyre masave vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale.

“Një veprim i tillë cenon garën e barabartë zgjedhore, duke krijuar avantazh të padrejtë për kandidatët e subjektit politik që udhëheq qeverinë dhe ndikon në sjelljen e votuesve, sidomos tek grupet e ndjeshme si studentët”, ka shkruar Cakolli.

Share This