Ndalohet edhe një person, dyshohet për krime lufte në komunën e Malishevës
Prokuroria Speciale e Kosovës, ka njoftuar se sot ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 të Ligjit Penal të ish- Jugosllavisë.
“Hetimet preliminare tregojnë se i dyshuari gjatë kohës së luftës në Kosovë, ndaj popullsisë civile në fshatin Panorc Komuna e Malishevës, ka kryer krime të luftës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, raporton rtk.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale, i pandehuri gjendet nën masën e arrestit të përkohshëm dhe ndalimit për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të dërgohet para Gjyqtarit të procedurës paraprake, për procedurë të mëtutjeshme.
Ndërkohë sot gjatë ditës është arrestuar edhe një tjetër person, i dyshuar për veprën penale ‘’Krimet e luftës kundër popullatës civile” gjatë luftës në Kosovë, në regjionin e Gjakovës (1998/1999).