NBA Finalet: Doncic heroi i Dallasit, Minnesota e humb edhe finalen e dytë ndaj Mavericks

NBA Finalet: Doncic heroi i Dallasit, Minnesota e humb edhe finalen e dytë ndaj Mavericks

Luka Doncic ka vazhduar shkëlqimin e tij, duke ia mundësuar skuadrës së tij përmbysjen në rezultat dhe fitoren e dytë në serinë finale në Konferencën Perëndimore ndaj Minnesota Timberwolves, me ndeshjen që përfundoi me rezultat 109:108.

Tani Minnesota ka humbur dy ndeshjet e para ku kishte avantazhin pasi luante pranë tifozëve të saj dhe do ta ketë shumë të vështirë, pasi dy ndeshjet e ardhshme zhvillohen në shtëpinë e Dallasit.

Vendasit e nisën mirë përballjen në Target Center, duke fituar fillimisht çerekun e parë me rezultat 32:26, e pastaj edhe 12 minutat në vazhdim 28:22, për të shkuar në pushim me 12 pikë epërsi apo rezultat 60:48.

Dallas Mavericks tregoi fytyrë krejtësisht tjetër në pjesën e dytë, me Doncic e Kyrie Irving që u ngjallën në momentet vendimtare.

Çerekun e tretë e fitoi skuadra e Jason Kidd me 31:26, duke hyrë në 12 minutat e fundit me disavantazh prej shtatë pikëve.

Ylli slloven e bëri atë që di ta bëjë më së miri, duke treguar veten e tij në momentet vendimtare dhe duke shpëtuar skuadrën e tij nga një humbje.

Dallasi e fitoi periodën e fundit me rezultat 30:22 dhe krejt lojën me rezultat përfundimtar 109:108 për shkak të Doncic që shënoi një tre pikësh me tre sekonda të mbetur në lojë, duke përmbysur gjithçka.

Tani seria finale është 2:0 në të mirë të Dallasit dhe dy ndeshjet e ardhshme zhvendosen në Teksas, me Mavericks që tani ka avantazhin të luajë pranë tifozëve të saj.

Luka Doncic ishte i pandalshëm duke shënuar 32 pikë, ndërsa kompletoi dyshifrorin e trefishtë me 10 rebounds e 13 asiste. Ndihmë të madhe pati nga Kyrie Irving me 20 pikë, e qendrat Gafford e Lively shtuan nga 16 dhe 14 pikë, respektivisht.

Në anën tjetër, natë fantastike kishte Naz Reid që shënoi shtatë treshe nga nëntë tentime, duke dhënë 23 pikë. Katër lojtarë të tjerë paktën pikë dyshifrore te Minnesota, por ishin të pamjaftueshme për të arritur fitoren e parë në këtë seri finale. /nacionale

Share This