
NATO do ta ‘detyrojë’ Britaninë të shpenzojë më shumë për mbrojtjen
Britania e Madhe pritet të angazhohet për rritjen e shpenzimeve të saj të mbrojtjes në 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035, si pjesë e një iniciative të re të NATO-s për forcimin e kapaciteteve ushtarake të aleatëve.
Ky objektiv i ri, i njohur si Angazhimi i Investimeve të Hagës, synon të rrisë shpenzimet e mbrojtjes për të përballuar kërcënimet në rritje dhe për të ruajtur angazhimin e Shteteve të Bashkuara në aleancë, shkruan “The Telegraph”.
Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer tha se kishte një “ambicie” për të arritur 3 përqind deri në fund të Parlamentit të ardhshëm.
Rritja e shpenzimeve të mbrojtjes nga premtimi aktual prej 2.5% në 3.5% do t’i kushtonte Mbretërisë së Bashkuar rreth 30 miliardë paund – ekuivalente me një rritje prej 4p të normës bazë të tatimit mbi të ardhurat.
Një burim i lartë i mbrojtjes ka thënë se Britania “pa asnjë fije dyshimi” duhet të pranojë një tavan më të lartë tri javë para se të mbahet samiti i NATO-s në Hagë.
Qëllimi i ardhshëm do të jetë pesëpërqindëshi, që do të përfshinte 3.5% deri më 2035 për mbrojtjen dhe 1.5% për nevojat e lidhura me ushtrinë, si infrastruktura, kanë thënë burimet.
Aktualisht, Britania shpenzon 2.3% të buxhetit në mbrojtje, Megjithatë, 0.2% e asaj shume shkon për agjencitë e spiunazhit dhe projekte të tjera që më nuk do të klasifikohen si mbrojtje sipas rregullave të reja të NATO-s.
Ka të ngjarë që kjo të intensifikojë presionin mbi qeverinë për të thënë se si do të financojë shpenzimet më të larta të mbrojtjes, në një kohë kur deputetët e parlamentit laburist po luftojnë kundër planeve për të kursyer para përmes shkurtimeve diku tjetër .
Në realitet kjo nënkupton se Mbretëria e Bashkuara duhet t’i rrisë shpenzimet nga 2.3% në 3.5% brenda më pak se një dekade nëse dëshiron të mbetet lojtar serioz brenda NATO-s.
Rishikimi i shumëpritur i strategjisë së mbrojtjes strategjike, publikuar të hënën, shkruan se Britania duhet të ketë politikë të mbrojtjes “Së pari NATO” dhe të “prijë” brenda aleancës.
Profesori Malcolm Chalmers, zëvendësdrejtor gjeneral në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, ka thënë se realizimi i cakut prej 3.5% deri më 2035 do të kërkonte nga 40 miliardë funte ekstra në vit.
Duke sfolur për The Telegraph të hënën , autorët e Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes thanë se Mbretëria e Bashkuar nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të ndiqte një qasje ku NATO është e para në epokën pas Luftës së Ftohtë.
Lord Robertson, Fiona Hill dhe Gjenerali Sir Richard Barrons thanë: “Kjo periudhë paqëndrueshmërie të pashembullt kërkon siguri të shtuar kolektive me aleatët, veçanërisht NATO-n, për të mbështetur parandalimin që i pengon kundërshtarët të marrin në konsideratë shkaktimin e dëmit.”
“SHBA-të luajnë një rol të ndryshëm në sigurinë evropiane, por një qasje e modernizuar ‘NATO-ja e para’ është e vetmja mundësi efektive dhe e përballueshme për Mbretërinë e Bashkuar.”