Musliu akuzon Kurtin dhe Bashën: “Hipokrizi dhe tradhti morale ndaj qytetarëve”

Musliu akuzon Kurtin dhe Bashën: “Hipokrizi dhe tradhti morale ndaj qytetarëve”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj udhëheqësve shtetërorë në detyrë, duke i akuzuar për hipokrizi dhe tradhti morale.

Musliu kritikoi faktin që kryeministri Albin Kurti dhe deputeti i VV-së Dimal Basha kanë zgjedhur të rrisin fëmijët e tyre jashtë Kosovës, ndërkohë që qytetarëve u kërkojnë qëndresë dhe besim në një sistem që – sipas saj – vetë e shmangin.

“Jetesa në Kosovë është bërë e papërballueshme. Bukë e qumësht, që dikur ishin simbol i jetës së thjeshtë, sot janë luks për shumicën e familjeve. Çmimet rriten çdo ditë, pagat stagnuese nuk mjaftojnë, ndërsa shkollat, spitalet dhe transporti publik janë në gjendje të mjerueshme”, deklaroi ajo.

Deputetja e PDK-së theksoi se largimi i të rinjve nga vendi është alarmant, ndërsa akuzoi pushtetin për përbuzje ndaj qytetarëve.

“Sjellja e Kurtit dhe Bashës flet më shumë se çdo fjalim. Ata kanë zgjedhur që fëmijët e tyre t’i rrisin në Norvegji e Zvicër, e jo në sistemin arsimor e shëndetësor që vetë e menaxhojnë. Kjo është fyerje për çdo mësues, mjek, prind dhe qytetar të Kosovës”.

Musliu përfundoi duke thënë se Kosova nuk mund të ecë përpara me një elitë politike që nuk i beson vetë vendit të saj, duke bërë thirrje për denoncimin e “moralit të rremë të pushtetit”.

Share This