Muriqi mesazh Realit: Jam i etur, nuk i frikësohem askujt
Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi ka paralajmëruar Real Madridin se Mallorca do të luajë me intensitet të lartë sonte në mbrëmje.
Mallorca do t’ia bëjë ‘sefte’ La Liga-s si mysafir i kampionit, “Los Blancos”, me këta të fundit që janë favorit i padiskutueshëm.
Sidoqoftë, Muriqi në një intervistë për “Marca” ka treguar se nuk i frikësohen askujt dhe që do të luajnë ndaj çdo skuadre me presion të lartë.
“Jam i emocionuar. Po punoj mirë dhe fortë me trajnerin e ri, që na kërkon shumë intensitet. Ndihem mirë dhe i etur për të nisur. Njerëzit mendojnë se do të jetë vështirë ndaj Real Madridit, sepse është, por është më mirë të përballemi me skuadrat e mëdha që nga fillimi”, ka thënë Muriqi.
“Kërkesa e trajnerit? Dëshiron ta nisim lojën nga portieri, për t’i vendosur kundërshtarët në presion në mbrojtje pavarësisht skuadrës kundërshtare. Do të shihni se do luajmë me presion të lartë ndaj Realit. Duhet të adaptohemi”.
Muriqi u pyet edhe për debutimin e Mbappe-s, për të cilin tha se është ndër më të mirët në botë, mirëpo synimi është që Mallorca të nxjerrë ndonjë pikë.
“Mbappe pritet të debutojë? Jam më i guximshëm se Sergi, nuk më intereson kush luan. Shumë nga bashkëlojtarët e mi kanë luajtur ndaj Leo Messit, Cristiano Ronaldo… që janë në nivel të njëjtë me Mbappen. Është top lojtar, një nga më të mirët në botë. Do të jetë kënaqësi ta ndaj fushën me të dhe të jem kundërshtari i tij. Shpresoj që mund të bëjmë më shumë dhe t’i marrim pikët”, ka theksuar Muriqi.
Për fund, kujtojmë se sfida mes Realit dhe Mallorca-s, do të nis me fillim nga ora 21:30.